
Presidenti francez e ftoi ish-kreun e shtetit në një takim privat në Pallatin Elize, vetëm pak ditë përpara se Sarkozy të hyjë në burgun e La Santé për çështjen e financimeve libiane.
Në një veprim të pazakontë, por me ngarkesë të fortë simbolike, presidenti Emmanuel Macron ka pritur të premten në Elize ish-presidentin Nicolas Sarkozy, vetëm disa ditë përpara se ky i fundit të fillojë vuajtjen e dënimit në burgun e La Santé në Paris. Takimi, i mbajtur larg vëmendjes publike, zgjati më shumë se një orë.
Ftesa erdhi drejtpërdrejt nga Macron, në një moment kur marrëdhëniet mes dy burrave të shtetit ishin ftohur ndjeshëm pas disa viteve afrimi politik. Burime pranë presidencës franceze e përshkruajnë takimin si një gjest njerëzor dhe institucional, më shumë sesa një ndërhyrje politike.
Macron, që zyrtarisht ruan heshtjen për vendimet e drejtësisë, nuk ka komentuar publikisht mbi dënimin e Sarkozy në lidhje me financimin e dyshuar libian të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Megjithatë, burime të afërta me Elize bëjnë me dije se presidenti ka shprehur rezervat e tij për mënyrën se si është aplikuar masa e ekzekutimit të menjëhershëm të dënimit me burg në shkallë të parë.
Takimi i tyre vjen në një klimë politike të tensionuar për të djathtën franceze, ku figura e Sarkozy mbetet ende e fortë dhe ndikon në balancat e brendshme të partisë Republikane. Ndërkohë, ish-presidenti përgatitet për një periudhë të vështirë, por, sipas bashkëpunëtorëve të tij, me vendosmërinë e dikujt që nuk dorëzohet lehtë.
Burime pranë Sarkozy konfirmojnë se ai e ka pranuar ftesën e Macronit me mirënjohje, duke e parë takimin si një shenjë respekti institucional midis dy presidentëve të Republikës Franceze.