
Vizita e diplomates amerikane vjen mes tensioneve për vakancat në krye të bashkive dhe betejës ligjore për Tiranën
Në Presidencë është zhvilluar një takim i papritur mes të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, dhe presidentit Bajram Begaj. Arsyeja e vizitës nuk është bërë ende publike, por takimi vjen në një kohë delikate për politikën shqiptare.
Vetëm një ditë më parë, qeveria njoftoi Presidentin për krijimin e vakancave në gjashtë bashki të vendit, mes tyre edhe Tirana, pas vendimit për shkarkimin e disa kryebashkiakëve. Ndërkohë, ish-kryebashkiaku Erion Veliaj ka depozituar ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Sipas nenit 115 të Kushtetutës, dorëzimi i ankimimit pezullon automatikisht aktin e qeverisë, duke ngrirë edhe procesin e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet. Presidenti Begaj ka tashmë një afat 48-orësh për të vendosur nëse do të dekretojë datën e zgjedhjeve, ndërsa skena politike pritet të përfshihet nga zhvillime të reja.
Në këtë klimë tensioni, vizita e diplomates amerikane shihet si një sinjal i rëndësishëm i vëmendjes së Uashingtonit ndaj situatës politike në Shqipëri.