Aulon Kalaja sqaroi në “Now me Erla Mëhllin” se takimi i së enjtes mes disa figurave të Partisë Demokratike nuk ishte lëvizje e re, fraksion, apo tentativë për parti të re, por thjesht një takim miqësor mes demokratësh. Ai tha se ftesa u bë nga Ervin Salianji, ndërsa takimi u zhvillua në një hotel privat me pjesëmarrjen e disa prej kandidatë më të votuar të PD-së.
Sipas Kalasë, biseda u fokusua te sfidat e brendshme të PD-së, situata nëpër qarqe dhe nevoja urgjente për reflektim dhe ringritje brenda partisë. Ai foli veçanërisht për problemet e qarkut Durrës dhe për mungesën e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar që prej marsit.
Një nga temat kryesore ka qenë kodi zgjedhor, të cilin Kalaja e konsideron të padrejtë, duke sjellë shembullin e Bashkisë së Krujës me 100 mijë banorë dhe asnjë deputet.
Ai u distancua hapur nga çdo përpjekje për krijimin e një partie të re:
“Nuk peshkohem, as përdorem. Jam te PD dhe nuk iki kurrë.”
Në takim me Salianjin kanë marrë pjesë edhe:
Ilir Alimehmeti, Gentian Çela, Qani Xhafa, Ted Kopliku, Alma Kore, Parid Mahmutaj, Xhemajl Gjunkshi dhe Hysen Kadiu.
