
Në qytetin Qala-i-Naw, autoritetet talebane kryen ekzekutimin e një burri të dënuar për vrasjen e një çifti, duke përfshirë një grua tetë muaj shtatzënë. Dënimi u ekzekutua nga një i afërm i viktimave, nën sistemin e hakmarrjes së parashikuar nga ligji islam.
Një burrë afgan i dënuar për vrasjen e një burri dhe bashkëshortes së tij shtatzënë është ekzekutuar publikisht nga një i afërm i viktimave në stadiumin sportiv të qytetit Qala-i-Naw, në provincën Badghis, nën urdhërin e Gjykatës së Lartë talebane.
Sipas raportimeve zyrtare, i dënuari u qëllua tre herë me armë zjarri para mijëra njerëzve, pasi vendimi u miratua nga tri shkallë gjyqësore dhe u ratifikua nga udhëheqësi suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada. Kjo shënon ekzekutimin e 11-të publik që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021.
Zëdhënësi provincial, Matiullah Muttaqi, deklaroi se vrasësi kishte ekzekutuar viktimat, ndërsa gruaja ishte rreth tetë muaj shtatzënë. “Familjes së viktimave iu ofrua falja, por ata refuzuan, duke kërkuar zbatimin e drejtësisë sipas ligjit islam”, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Ekzekutimi u ndoq nga qindra qytetarë dhe përfaqësues të autoriteteve lokale. Pamjet nga ngjarja u shpërndanë gjerësisht në rrjete sociale, ndërsa organizatat ndërkombëtare reaguan menjëherë duke e dënuar aktin.
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut deklaroi se ekzekutimet publike përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe cenojnë të drejtën themelore për jetën, duke i kërkuar talebanëve të shpallin menjëherë një moratorium mbi dënimin me vdekje.
Edhe Amnesty International theksoi se shumë nga vendimet e ekzekutimit në Afganistan merren pas proceseve që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë.
Ekzekutimet publike dhe ndëshkimet trupore, përfshirë rrahjet me kamxhik për vjedhje, tradhti bashkëshortore apo konsum të alkoolit, janë rikthyer si pjesë e ideologjisë së fortë të rendit dhe kontrollit që talebanët e konsiderojnë thelbësore për qeverisjen e tyre , duke e zhytur vendin edhe më thellë në epokën e frikës dhe represionit.