
Shmangia e Florian Binajt në premierën e filmit “Kazerma” ngre pikëpyetje për qytetarinë, integritetin publik dhe rolin e maskave elektorale të Ogerta Manastirliut
Atë që fushata për Bashkinë e Tiranës nuk arriti ta zbulojë, e nxori në pah një mbrëmje mondane. Në premierën e filmit “Kazerma”, aty ku politika përpiqet të duket e qetë, e buzëqeshur dhe pa tensione, Ogerta Manastirliu dhe Florian Binaj u gjendën vetëm pak metra larg njëri-tjetrit. Por ishte sjellja e ish-ministres ajo që foli më shumë se çdo deklaratë.
Florian Binaj, kandidati i pavarur që sfidoi establishmentin, u soll natyrshëm, përshëndeti artistët dhe të ftuarit, përfshirë edhe Elva Margaritin. Ndërkohë, Ogerta Manastirliu, e njëjta që gjatë fushatës shpërndante buzëqeshje të fabrikuara për çdo aparat fotografik, këtë herë preferoi të fshihej pas telefonit, duke shmangur çdo kontakt dhe çdo shikim.

Ky kontrast zbuloi diçka më thelbësore sesa një moment protokollar: buzëqeshja e fushatës shfaqet kur duhen votat, por zhduket sapo qytetarët nuk kanë më peshë në ekuacionin personal të karrierës.
Tapeti i kuq i “Kazermës” tregoi variantin tjetër të ish-ministres; atë që shfaqet sapo një pozicion ministreje apo deputeteje konfirmohet, sapo gara ndalet dhe nuk ka më presion elektoral. Në fushatë buzëqeshja dhe përulja shfaqeshin si pjesë e detyrueshme e rolit politik, por sapo gara u ndal, ato zëvendësohen menjëherë nga maska e arrogancës dhe e “gruas së fortë”, një rol që mbetet derisa t’i duhet sërish të rikthehet në terrenin elektoral.
Dhe ndërsa tani shfaqet e ashpër dhe e mbyllur, kujtohet lehtë çasti kur kjo maskë e fortësisë u thye: loti që i rrodhi publikisht, kur e gjithë Partia Socialiste mësoi se kryeministri Rama e riktheu si kandidate për Tiranën, pa e pyetur fare.
Një lot që tregoi sa shpejt ndërrohen rolet dhe sa të brishta janë maskat politike, sapo mbyllen dyert e partisë.

Pas këtij momenti, mbetet vetëm një pyetje e drejtëpërdrejtë: Kush është aktori i vërtetë mes dy kandidatëve të Tiranës?
