
PS nuk lejon mocione me “shumë tema”; opozita akuzon Ballën se po mbyll fjalën e Parlamentit dhe po shmang llogaridhënien.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i kërkoi opozitës që çdo mocion me debat të vijë sipas Rregullores së Kuvendit, përndryshe nuk do të pranohet dhe as do të kalojë në votim. Gjatë fjalës në seancë, ai theksoi se objekti i mocionit duhet të jetë i përcaktuar qartë dhe i vetëm, siç parashikon neni 89 i rregullores.
Sipas Ballës, kërkesa e dorëzuar nga Partia Demokratike nuk përputhet me kriteret procedurale, pasi synon të hapë një debat me qindra tema për bilancin qeveritar 2013–2025, në vend të një çështjeje të veçantë. Ai u shpreh se mazhoranca nuk do të kthehet në rihapje të agjendave të kaluara dhe se është e gatshme për një mocion të fokusuar, veçanërisht në temat që lidhen me rrugëtimin europian të vendit.
Balla akuzoi opozitën se po paraqet kërkesa të paplota qëllimisht, për të shmangur debatin e strukturuar. Ai ritheksoi se instrumentet parlamentare ekzistojnë nga seanca e pyetje-përgjigjeve, interpelancat urgjente e deri te komisionet hetimore, por duhen përdorur në përputhje me rregullat procedurale.