
Fansat besojnë se kënga “Opalite” është një mesazh i koduar, ndërsa surprizon fakti që pikërisht kjo këngë është më e preferuara e Travis.
Taylor Swift ka ndezur rrjetin me albumin e saj të ri The Life of a Showgirl, ku sipas shumë fansave, një nga këngët përmban një “shigjetë” të fshehtë ndaj ish-partneres së të fejuarit të saj, Travis Kelce, modeles Kayla Nicole.
Për të kuptuar më mirë tensionin pas këtij interpretimi, duhet rikujtuar se Kelce dhe Nicole kanë qenë bashkë për rreth pesë vite, derisa i dhanë fund marrëdhënies në vitin 2022. Pas ndarjes, Kayla ka folur shpesh për përjetimin e saj, përfshirë valën e urrejtjes që mori online. Vetëm muajin e kaluar, ajo është detyruar të mohojë publikisht se qëllimisht kërkon të provokojë drama sa herë që flet për të kaluarën me Travis.
Megjithatë, opinioni publik shpesh e ka akuzuar atë për “thumbime” ndaj ish-it, duke sjellë në kujtesë valën e kritikave që mori kur festoi fitoren e Philadelphia Eagles në Super Bowl 2025 – kundër ekipit të Kelce, Kansas City Chiefs.
Në këtë kontekst, fansat janë bindur se kënga e Taylor, “Opalite”, bart një mesazh të qartë. Teksti i saj përshkruan gjetjen e partnerit të përsosur pas marrëdhënieve të dështuara.
Interesant mbetet fakti që, sipas vetë Taylor Swift, kjo këngë është më e preferuara e Travis Kelce nga i gjithë albumi, duke ndezur edhe më shumë diskutimet për nënkuptimet që fshihen brenda saj.
Albumi është pritur me shumë kuriozitet dhe “Opalite” ka hyrë menjëherë në qendër të debatit publik, duke ndezur edhe një herë rivalitetin e heshtur mes së tashmes dhe së shkuarës së yllit të futbollit amerikan.