Të mbijetuarit përshkruajnë skena tmerri nga sulmi i përgjakshëm terrorist në një plazh të njohur të Sidneit, në Australi, ku 12 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Paniku shpërtheu mes turmës, ndërsa dy persona të armatosur hapën zjarr pa dallim gjatë festimeve të festës hebraike Hanuka.
Dëshmitarët thanë se të shtënat zgjatën rreth 10 minuta në plazhin e mbushur plot me njerëz, ndërsa qindra persona vraponin të tmerruar drejt rërës, rrugëve dhe parqeve përreth për t’u shpëtuar plumbave. Policia bëri të ditur se rreth 1.000 persona ndodheshin në aktivitetin e Hanukës.
“U kapluam nga paniku dhe filluam të vraponim. Lamë gjithçka pas, shapka, sende personale, thjesht vraponim drejt kodrave”, tregoi banori i zonës, 38-vjeçari Marcos Carvalho.
Banorja e Bondit, Grace Matthew, tha se fillimisht mendoi se ishte thjesht një ditë e bukur në plazh. “Mendon se njerëzit po argëtohen. Pastaj filluan të vraponin gjithnjë e më shumë dhe dikush bërtiti se kishte një sulm të armatosur dhe se po vriteshin njerëz”, tha ajo.
“Dëgjuam të shtëna armësh. Ishte tronditëse… dhjetë minuta të pandërprera. Dukej sikur përdorej një armë shumë e fuqishme”, tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) Camilo Diaz, 25 vjeç, student nga Kili.
Sam, një shtetas francez që punonte në Bondi, shkoi në vendngjarje dhe e përshkroi atë si “zonë lufte”, duke parë pothuajse një duzinë personash të shtrirë në tokë, të mbuluar me gjak.
Chana Friedman, anëtare e komunitetit hebraik të Australisë që jeton pranë plazhit Bondi, ndodhej shumë pranë vendit të sulmit.
“Shpërtheu kaosi. Të gjithë vraponin. Mora dy vajzat e mia të vogla pa këpucë dhe u larguam nga festimi i Hanukës, sepse askush nuk e dinte çfarë po ndodhte – të gjithë kishin frikë për jetën e tyre”, tha ajo.
Një fotograf, Dani, i cili po mbulonte festën hebraike, tha se u përball drejtpërdrejt me një nga sulmuesit. “Më pa në sy dhe qëlloi drejt meje”, tha ai, duke shtuar se një plumb e preku shumë pranë, por vazhdoi të filmonte ndërsa fshihej.
Televizioni publik ABC transmetoi pamje të njerëzve të shtrirë në bar pranë plazhit dhe një pushkë të mbështetur në një trung peme.
“Ka gjak kudo”, tha banori i zonës Harry Wilson.
Me rënien e natës, lagjja zakonisht e gjallë u boshatis. Policia e armatosur bllokoi rrugët, ndërsa dritat e lokaleve të natës u zëvendësuan nga sirenat e automjeteve të emergjencës.
