
Policia konfirmon se i dyshuari është ndaluar dhe nuk përbën më rrezik për komunitetin
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në West Point, ku të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri. Sipas autoriteteve lokale, i dyshuari ka qëlluar nga tre lokacione të ndryshme, duke shkaktuar viktima të shumta.
Sherifi i Qarkut Clay, Eddie Scott, njoftoi përmes rrjeteve sociale se një person është marrë në ndalim dhe se aktualisht nuk ka më rrezik për komunitetin. Ai e cilësoi ngjarjen si një tragjedi për zonën dhe u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.
Sipas deklarimeve për mediat amerikane, autoritetet kanë konfirmuar numrin e viktimave, ndërsa hetimet janë ende në fazat e para. Ende nuk ka një motiv të qartë për sulmin, por forcat e rendit po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Policia ka bërë të ditur se detaje të tjera pritet të publikohen gjatë orëve në vijim, ndërsa zona është siguruar dhe vijojnë veprimet hetimore nga strukturat përkatëse. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
