SHBA-të thonë se karteli udhëhiqet nga anëtarë të ushtrisë së Venezuelës, por qeveria e Venezuelës i ka hedhur poshtë akuzat si një “gënjeshtër qesharake”.
Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Cartel de los Soles (në spanjisht për Kartelin e Diejve) – një grup që pretendohet se drejtohet nga presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe figura të larta në qeverinë e tij – si një organizatë terroriste të huaj.
Etiketimi i një organizate si grup terrorist u jep agjencive të zbatimit të ligjit dhe agjencive ushtarake të SHBA-së, kompetenca më të gjera për ta synuar dhe shpërbërë atë.
Në muajt e fundit, SHBA-të kanë shtuar presionin mbi Maduron, duke thënë se qeveria e tij është e paligjshme pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, të cilat u konsideruan gjerësisht si të manipuluara. Ky përcaktim i jep asaj një mënyrë tjetër për të rritur tensionet.
Holanda ndalon përdorimin e fishekzjarrëve, të dëmshme për qytetarët dhe ambientin
Por janë ngritur pikëpyetje nëse Cartel de los Soles ekziston vërtet dhe ministria e jashtme e Venezuelës e ka “hedhur poshtë kategorikisht, me vendosmëri dhe absolutisht” përcaktimin, të cilin e përshkruan si një “gënjeshtër të re dhe qesharake”.
Nuk është çudi që ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë i Venezuelës, Diosdado Cabello, e ka quajtur prej kohësh atë një “shpikje”.
Cabello, i cili dyshohet të jetë një nga anëtarët e lartë të kartelit, ka akuzuar zyrtarët amerikanë se e përdorin atë si justifikim për të synuar ata që nuk i pëlqejnë.
“Sa herë që dikush i shqetëson, ata e përmendin si kreun e Cartel de los Soles”, tha ai në gusht.
Gustavo Petro, presidenti i krahut të majtë i fqinjit të Venezuelës, Kolumbisë, gjithashtu ka mohuar ekzistencën e kartelit.
“Është justifikimi imagjinar i së djathtës ekstreme për të rrëzuar qeveritë që nuk i binden atyre”, shkroi ai në X në gusht.
Por Departamenti i Shtetit i SHBA-së është i bindur se Cartel de los Soles jo vetëm që ekziston, por ka “korruptuar ushtrinë, inteligjencën, legjislaturën dhe gjyqësorin e Venezuelës”.
Ekspertët e konsultuar nga BBC thonë se e vërteta qëndron diku në mes.
Termi Cartel de los Soles u shfaq për herë të parë në fillim të viteve 1990.
U shpik nga mediat venezueliane pas akuzave për trafik droge kundër një gjenerali përgjegjës për operacionet kundër narkotikëve në Gardën Kombëtare të Venezuelës, dhe i referohej simboleve në formë dielli që mbanin gjeneralët në epauletat e tyre për të treguar gradën e tyre.
Mike LaSusa, një ekspert në krimin e organizuar në Amerikë, i cili është zëvendësdrejtor i përmbajtjes në Insight Crime, thotë se kjo nofkë shpejt filloi të përdoret për të gjithë zyrtarët venezuelianë të dyshuar për lidhje me trafikun e drogës, pavarësisht nëse këta zyrtarë ishin pjesë e së njëjtës organizatë.
Raúl Benítez-Manau, një ekspert i krimit të organizuar nga universiteti UNAM i Meksikës, thotë se aktivitetet e grupit, filluan në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990, në përgjigje të zhvillimeve në Kolumbinë fqinje, prodhuesin më të madh të kokainës në botë.
Në atë kohë, Karteli i fuqishëm Medellín, me seli në qytetin kolumbian me të njëjtin emër, po shpërbëhej dhe një ofensivë e madhe kundër narkotikëve në vend po jepte fryte.
Ndërsa rrugët e kontrabandës u vunë nën presion, argumenton zoti Benítez-Manau, Cartel de los Soles filloi të ofronte mënyra alternative për të transportuar kokainën nga Kolumbia. Më pas, ai u forcua gjatë viteve të para të presidencës së Hugo Chávez, presidentit të krahut të majtë që udhëhoqi Venezuelën nga viti 1999 deri në vdekjen e tij në vitin 2013, thotë ai.
“Chávez-it i pëlqente të sfidonte Shtetet e Bashkuara dhe i preu të gjitha lidhjet e bashkëpunimit ushtarak midis ushtrisë venezueliane dhe SHBA-së”, shpjegon ai.
Pa mbikëqyrjen e Administratës Amerikane Kundër Drogës (DEA), “disa oficerë të ushtrisë [venezueliane] ndiheshin të lirë të bënin biznes me kriminelët”, thotë zoti Benítez-Manau.
Simpatitë e Çavezit me guerilasit e krahut të majtë të FARC-ut në Kolumbi – të cilët financoheshin kryesisht përmes kontrabandës së kokainës – ishin një faktor tjetër në ridrejtimin e një pjese të trafikut të drogës përmes Venezuelës, thotë ai.
I përballur me presion ushtarak në vend, grupi gueril zhvendosi disa operacione në Venezuelë, të sigurt në dijeninë se presidenti venezuelian, “i shihte ata si aleatë ideologjikë të majtë”, shpjegon zoti Benítez-Manau.
Wesley Tabor, një ish-agjent i DEA-s që punoi në Venezuelë, thotë se Farc jo vetëm që gjeti “një strehë të sigurt në Venezuelë”, por edhe shumë zyrtarë qeveritarë, “nga policia e nivelit të rrugës deri te aviacioni ushtarak”, shpejt u bënë partnerë të tyre në trafikun e drogës.
Së bashku, ata “filluan të përmbytnin SHBA-në me qindra ton kokainë”, thotë ai.
Cartel de los Soles, pra, ndryshon nga rrjetet e tjera të drogës, në atë që i mungon një strukturë formale, thotë zoti LaSusa.
Nuk është një grup në vetvete, thotë ai, por më tepër “një sistem korrupsioni i përhapur”.
Ai shton se kjo është nxitur nga kriza ekonomike që ka përfshirë Venezuelën nën drejtimin e pasardhësit të Presidentit Çavez, Nicolás Maduro.
“Regjimi i Maduros nuk mund t’u ofrojë forcave të sigurisë një pagë të mirë dhe, për të ruajtur besnikërinë e tyre, u lejon atyre të pranojnë ryshfete nga trafikantët e drogës”, shpjegon zoti LaSusa.
Zyrtarët e rangut të mesëm dhe të ulët që kontrollojnë pikat kryesore të hyrjes dhe daljes së Venezuelës, siç janë aeroportet, përbëjnë Kartelin de los Soles, thotë zoti Benítez-Manau, pasi ata janë në një pozicion të favorshëm për të lehtësuar rrjedhën e drogës.
Por zyrtarët amerikanë janë të bindur se tentakulat e Cartel de los Soles, arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë së Maduros, përfshirë vetë presidentin.
Në vitin 2020, departamenti i drejtësisë i SHBA-së akuzoi Maduron dhe 14 të tjerë për komplot me grupe të armatosura kolumbiane për të dërguar kokainë në Shtetet e Bashkuara.
Midis zyrtarëve të lartë të përmendur ishin Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino dhe ish-kreu i Gjykatës Supreme të Venezuelës, Maikel Moreno.
Në aktakuzë, prokurorët amerikanë pretenduan gjithashtu se që të paktën nga viti 1999, Cartel de los Soles u drejtua dhe administrua nga Maduro, Ministri i Brendshëm Diosdado Cabello, ish-shefi i inteligjencës ushtarake Hugo Carvajal dhe ish-gjenerali Clíver Alcalá.
Ata thonë se informacioni i dhënë nga ish-zyrtarë të lartë ushtarakë venezuelianë – përfshirë Carvajal dhe Alcalá – e mbështet këtë.
Leamsy Salazar, një ish-shef sigurie për të ndjerin Hugo Chávez, u dha zyrtarëve amerikanë informacione në lidhje me Cartel de los Soles që në vitin 2014.
Salazar, i cili ishte larguar nga Venezuela me ndihmën e DEA-s, tha se Ministri i Brendshëm Cabello udhëhoqi Kartelin de los Soles.
Cabello i mohoi akuzat, duke argumentuar se ishin pjesë e një “komploti ndërkombëtar”.
Por akuzat nga ish-zyrtarët venezuelianë vazhduan të vinin.
Në vitin 2020, Gjenerali Alcalá u dorëzua te agjentët e DEA-s, pasi u grind me qeverinë e Maduros dhe u deklarua fajtor për ofrimin e mbështetjes për Farc-un dhe operacionet e tyre të trafikimit të kokainës.
Më herët këtë vit, ish-shefi i spiunazhit venezuelian Carvajal – i cili gjithashtu iku nga Venezuela pasi nuk u pajtua me Maduron – u deklarua fajtor edhe në një gjykatë amerikane për akuzat për trafik droge dhe narkoterrorizëm.
“Gjatë viteve, ai dhe zyrtarë të tjerë në Cartel de los Soles përdorën kokainën si armë, duke e përmbytur Nju Jorkun dhe qytete të tjera të SHBA-së me helm”, tha një prokuror federal për Carvajal, i njohur si “El Pollo” (Pula), gjatë gjyqit.
Maduro dhe Ministri i Brendshëm Cabello mbeten në Venezuelë, por SHBA-të kohët e fundit rritën shpërblimet për informacionin që çon në kapjen e tyre në 50 milionë dollarë dhe 25 milionë dollarë përkatësisht.
BBC kontaktoi qeverinë e Venezuelës për të komentuar mbi akuzat e SHBA-së, por nuk mori një përgjigje para publikimit.
Megjithatë, qeveria e Maduros i ka hedhur poshtë prej kohësh akuzat për trafik droge të ngritura kundër saj, duke i konsideruar si një përpjekje nga SHBA-të për të justifikuar rrëzimin e Maduros.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, ministria e jashtme e Venezuelës e quajti përcaktimin e Cartel de los Soles si një organizatë terroriste “një trillim qesharak”.
Ajo këmbënguli se Cartel de los Soles ishte “inekzistent”, dhe se masa ishte një “gënjeshtër e ligë për të justifikuar një ndërhyrje të paligjshme kundër Venezuelës”./ BBC
