
Tre persona të armatosur sulmojnë biznesin në Agios Dimitrios gjatë natës, policia greke në kërkim të autorëve
Një ngjarje e rëndë me armë zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së hënës në Athinë, ku dy shtetas shqiptarë, babë e bir, kanë mbetur të plagosur brenda biznesit të tyre.
Sipas mediave greke, rreth orës 02:40 tre persona kanë mbërritur me automjet pranë restorantit në pronësi të familjes shqiptare, i ndodhur në zonën Agios Dimitrios, në rrugën Agoniston Polytechneiou. Pa asnjë paralajmërim, autorët kanë hapur zjarr ndaj pronarit të biznesit dhe djalit të tij.
Biznesmeni 70 vjeç është plagosur në këmbë, ndërsa djali i tij 39 vjeç ka marrë dy plumba, një në kofshë dhe një në pulpë. Të dy të plagosurit janë transportuar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje, policia ka gjetur katër gëzhoja, ndërsa autorët janë larguar menjëherë me makinë në drejtim të panjohur. Forcat e rendit kanë nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të sulmit dhe identifikimin e personave të përfshirë, ndërsa zona vijon të jetë nën vëzhgim.
