
Policia ka rrethuar zonën dhe po punon për identifikimin e autorëve, ndërsa qarkullimi është bllokuar pjesërisht
Ngjarje e rëndë pranë aeroportit të Rinasit, ku janë raportuar të shtëna me armë zjarri në rrethrrotullim. Sipas informacionit paraprak, dyshohet se ka persona të plagosur, por ende nuk është konfirmuar numri i tyre.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë verifikimet e para. Trafiku në aksin drejt aeroportit është vështirësuar, ndërsa mjetet po devijohen momentalisht.
Autoritetet po punojnë për të zbuluar rrethanat e ngjarjes, ndërsa po kontrollohen kamerat e sigurisë së bizneseve pranë rrethrrotullimit për të identifikuar automjetin apo personat e përfshirë.
Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar mbi motivin e ngjarjes. Burime jozyrtare sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një konflikt të çastit, por nuk përjashtohet as pistë tjetër hetimore.
Policia pritet të publikojë një deklaratë për media në orët në vijim.
