
Incident i rëndë gjatë një aktiviteti publik, raportohet për viktima ndërsa autoritetet ndërhyjnë dhe neutralizojnë të dyshuarit
Një incident i rëndë me armë zjarri është raportuar mëngjesin e së dielës në plazhin e njohur Bondi në Sydney të Australisë, ku sipas autoriteteve një person ka hapur zjarr në një zonë të frekuentuar nga qytetarë dhe turistë. Policia e Uellsit të Ri Jugor ka konfirmuar se po menaxhon një situatë ende në zhvillim dhe u ka bërë thirrje njerëzve të shmangin menjëherë zonën dhe të gjejnë strehim.
Sipas informacioneve paraprake, të paktën katër persona dyshohet se kanë humbur jetën gjatë incidentit, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik të madh mes pushuesve. Të shtënat kanë ndodhur gjatë një aktiviteti publik, ndërsa forca të shumta policie janë parë në terren duke rrethuar zonën.
Autoritetet australiane kanë bërë të ditur se të dyshuarit janë arrestuar dhe se armët e zjarrit janë sekuestruar, megjithatë detaje të mëtejshme mbi identitetin e autorit, motivet apo numrin e saktë të viktimave nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Policia ka kërkuar nga qytetarët të mos përhapen drejt zonës së Bondi Beach dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare, ndërsa hetimet vijojnë. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Australi, pasi Bondi konsiderohet një nga zonat më të sigurta dhe më të vizituara të vendit.
Autoritetet pritet të dalin me një deklaratë të plotë sapo të konfirmohen të gjitha të dhënat lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
