Incidentet e njëpasnjëshme tronditin Beogradin, autoritetet serbe po hetojnë si të lidhura ngjarjen me armë dhe zjarrin që shpërtheu në çadrat e protestuesve.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot kryeqytetin serb, ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri para godinës së Parlamentit në Beograd. Policia njoftoi se autori, një 30-vjeçar i identifikuar si V.A., u arrestua menjëherë në vendngjarje dhe po akuzohet për tentativë vrasjeje dhe krijim të rrezikut të përgjithshëm.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, pak minuta pas incidentit, në çadrat e vendosura përpara Kuvendit Kombëtar shpërtheu një zjarr, duke shkaktuar kaos mes qytetarëve dhe protestuesve që ndodheshin aty.
Ekipet e zjarrfikësve mbërritën menjëherë dhe arritën të vendosin flakët nën kontroll, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse dy ngjarjet kanë lidhje mes tyre.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar një deklaratë të jashtëzakonshme në orën 13:00 në Pallatin e Serbisë, për të komentuar situatën dhe për të bërë apel për qetësi pas tensioneve të krijuara në qendër të Beogradit.
