
Kampusi në izolim të plotë; mbi 400 efektivë dhe FBI në kërkim të një burri të veshur me të zeza që u largua në këmbë pas sulmit
Një sulm me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së shtunës Universitetin Brown në Providence, Rhode Island, ku dy studentë humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën, shumica prej tyre në gjendje kritike. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të pasdites në godinën Barus and Holley, ku zhvillohen aktivitetet e departamenteve të inxhinierisë dhe fizikës.
Kryetari i bashkisë së Providence, Brett Smiley, konfirmoi se viktimat ishin studentë të universitetit dhe se të plagosurit u dërguan menjëherë në spital për trajtim. Sipas autoriteteve shëndetësore, gjashtë persona ndodhen në gjendje kritike por të stabilizuar, një tjetër në gjendje kritike dhe një në gjendje të qëndrueshme.
Fillimisht u raportua se një i dyshuar ishte arrestuar, por autoritetet sqaruan më vonë se bëhej fjalë për një keqinformim dhe se autori i sulmit nuk ndodhet në pranga. Policia njoftoi se i dyshuari është një mashkull, i veshur me rroba të errëta, i cili u largua nga godina në drejtim të Hope Street. Pamje video të tij janë publikuar dhe po analizohen nga hetuesit.
Në zonë janë angazhuar mbi 400 efektivë policie, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me FBI-në dhe agjencitë federale. Autoritetet kanë vendosur izolim të plotë të kampusit dhe u kanë bërë thirrje banorëve të zonës që të qëndrojnë brenda banesave dhe të shmangin çdo lëvizje.
Presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson, deklaroi se prioritet absolut është mbështetja për familjet e viktimave dhe studentët e plagosur, ndërsa aktivitetet akademike janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.
Autoritetet besojnë se autori ka përdorur një armë dore. Policia u ka kërkuar qytetarëve të kontrollojnë kamerat e sigurisë private dhe të raportojnë çdo pamje apo informacion të dyshimtë që mund të ndihmojë në identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Hetimet vijojnë, ndërsa komuniteti universitar dhe qyteti i Providence mbeten në gjendje alarmi, në pritje të kapjes së autorit të një prej ngjarjeve më të rënda të dhunës me armë në historinë e këtij institucioni prestigjioz.
