
Autoritetet flasin për një emergjencë me ndryshim ngjyre të trupit, autopsia pritet të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes së 34-vjeçares
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e Victoria Jones, vajzës së aktorit të njohur Tommy Lee Jones, e cila u gjet pa shenja jete në një hotel luksoz në San Francisko në ditën e Vitit të Ri.
Sipas një audio-regjistrimi të telefonatës emergjente 911, të publikuar nga media amerikane, autoritetet u njoftuan për një rast të dyshuar mbidoze, të shoqëruar me ndryshim të ngjyrës së trupit. Thirrja u klasifikua si “code 3”, një nivel alarmi që nënkupton emergjencë maksimale dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme me sirena dhe drita.
Telefonata është bërë pak para orës 03:00 të mëngjesit të 1 janarit, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në Fairmont Hotel, ku u përpoqën pa sukses të reanimonin 34-vjeçaren. Ajo u shpall e vdekur në vendngjarje.
Megjithëse përmbajtja e thirrjes sugjeron mundësinë e një mbidoze, burime policore kanë bërë të ditur se pranë trupit të saj nuk u gjetën substanca narkotike apo pajisje të lidhura me përdorimin e drogave. Po ashtu, autoritetet theksuan se nuk ka shenja dhune apo traume fizike, duke përjashtuar për momentin pistën e një vrasjeje.
Hetuesit kanë refuzuar të spekulojnë mbi shkakun e saktë të vdekjes, duke sqaruar se përgjigjja përfundimtare do të vijë vetëm pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore. Deri atëherë, rasti mbetet i hapur dhe nën hetim.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në SHBA, ndërsa familja Jones nuk ka bërë ende një reagim zyrtar lidhur me zhvillimet e fundit.
