
Kreu i Shqipëria Bëhet sqaron se situata u rëndua nga përplasjet me policinë dhe këmbëngul se protesta po zhvillohet në përputhje me ligjin
Protesta e mbështetësve të lëvizjes Shqipëria Bëhet përpara Kryeministrisë është shoqëruar edhe këtë mbrëmje me tensione dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të policisë. Situata u përshkallëzua pas ndërhyrjes së uniformave blu për të ndaluar grumbullimin dhe për të larguar një gjenerator të vendosur pranë godinës.
Gjatë përplasjes u përhapën dyshime se Adriatik Lapaj kishte humbur ndjenjat, por vetë ai ka reaguar publikisht duke i mohuar këto pretendime. Në një intervistë televizive, Lapaj sqaroi se nuk ka pasur asnjë moment humbjeje ndjenjash dhe se gjendja e rënduar është krijuar nga intensiteti i përplasjes, prania e madhe e policisë dhe derdhja e naftës pranë gjeneratorit. Ai theksoi se ishte ulur për të mbajtur gjeneratorin dhe kishte pirë ujë, pa pasur asnjë situatë kritike shëndetësore.
Lapaj shpjegoi se protesta është organizuar me njoftime të rregullta ndaj institucioneve përkatëse dhe se çdo hap është ndërmarrë në përputhje me ligjin. Sipas tij, Policia e Shtetit dhe Bashkia janë informuar vazhdimisht për oraret e protestës, nga ora 17:00 deri në 20:00, si dhe për masat që duhej të merren për mbarëvajtjen e saj, përfshirë sigurimin e energjisë elektrike.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi standardet e dyfishta në trajtimin e protestave, duke theksuar se subjekte të tjera që kanë protestuar në të njëjtin bulevard kanë pasur akses në energji elektrike, fonie dhe skena, ndërsa kjo e drejtë, sipas tij, po mohohet për Shqipëria Bëhet. Lapaj sqaroi se gjeneratori ishte siguruar nga një qytetar që kishte ardhur posaçërisht nga jashtë vendit dhe se tentativa për sekuestrimin e tij ishte e padrejtë.
Në përfundim, ai theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta dhe nuk kërkon leje, por vetëm njoftim, duke shtuar se lëvizja që ai drejton nuk do të tërhiqet përballë presionit dhe do të vijojë protestën në mënyrë paqësore.
