Pas dy sulmeve të dhunshme ndaj eskortës presidenciale, kreu i shtetit ekuadorian pohon se i dërguan ushqime të helmuara në një përpjekje të re për ta eliminuar fizikisht.
Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka zbuluar se është bërë sërish shënjestër e një atentati, i treti brenda pak javësh. Kësaj here, sipas tij, metoda e përdorur ishte më e sofistikuar: çokollatë dhe reçel të helmuar, të dërguara si dhurata në zyrën presidenciale.
Në një intervistë për CNN, Noboa deklaroi se analizat laboratorike kanë zbuluar “koncentrime të jashtëzakonshme të tre substancave toksike” në produktet e dërguara, duke e bërë të qartë se nuk bëhej fjalë për ndotje të rastësishme, por për një përpjekje të qëllimshme për helmim.
Kjo ngjarje vjen pas dy incidenteve të tjera të rënda ndaj tij: një sulm me gurë ndaj autokolonës presidenciale dhe një tjetër me kokteje molotov dhe raketa të improvizuara, që sipas autoriteteve ishin organizuar nga grupe kriminale.
Noboa, trashëgimtar i një prej familjeve më të pasura të industrisë së bananeve në Ekuador, është bërë objektiv i kartelave të drogës dhe rrjeteve të krimit të organizuar për shkak të politikave të tij të ashpra kundër narkotrafikut dhe reformave të brendshme që kanë prekur interesa të fuqishme.
Dhuna në Ekuador ka marrë përmasa dramatike, me një rritje prej mbi 40% të vrasjeve gjatë vitit 2025 dhe valë shpërthimesh në burgje, pavarësisht përpjekjeve për të rivendosur rendin publik.
Presidenti Noboa ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga lufta kundër krimit, duke paralajmëruar një referendum për lejimin e pranisë së ushtrisë së huaj në territorin ekuadorian si masë për forcimin e sigurisë kombëtare.
“Unë nuk kam frikë. Qytetarët e mi duan siguri dhe një Ekuador të lirë nga terrori i bandave,” deklaroi ai.
