 
        Lojtari Andrei Mostovoi u sulmua nga disa persona të armatosur në Shën Petersburg, por arriti të shpëtojë falë ndërhyrjes së një miku të tij.
Një ngjarje tronditëse ka goditur futbollin rus. Pak para ndeshjes mes Zenit dhe Dinamo Moskës, mesfushori i Zenit, Andrei Mostovoi, u bë objekt i një tentative rrëmbimi në Shën Petersburg, ndërsa po shkonte drejt makinës së tij në Ishullin Krestovski. Ngjarja, e cila mund të kishte përfunduar në tragjedi, u parandalua falë ndërhyrjes së shpejtë të mikut të tij, hokeistit Alexander Grakun.
Sipas mediave lokale, Mostovoi sapo kishte dalë nga një lokal aty pranë kur dy persona të armatosur e ndaluan dhe tentuan ta fusnin me forcë në një furgon. Në atë moment, Grakun ndërhyri dhe u përlesh me sulmuesit, duke ndihmuar futbollistin të shpëtonte.
Të dy arritën të largoheshin me shpejtësi, ndërsa autorët u arratisën me të njëjtin furgon. Disa ditë më vonë, autoritetet ruse arrestuan katër persona të përfshirë, të cilët ishin kapur pas një tjetër rrëmbimi ndaj një të afërmi të një politikani lokal.
Nëna e lojtarit deklaroi për mediat ruse se ftohtësia dhe reagimi i shpejtë i të birit ishin vendimtarë: “E shpëtoi aftësia e tij për të analizuar situatën në një sekondë. U përball fizikisht me rrëmbyesit dhe arriti t’i neutralizojë para se të ikte me shpejtësi.”
Pamjet e sigurisë konfirmuan se tre persona të maskuar dolën nga një furgon për të interceptuar futbollistin dhe shokun e tij. Policia ka deklaruar se synimi ishte rrëmbimi, por rezistenca e menjëhershme e tyre e pengoi planin.
Ngjarja ka tronditur ambientin sportiv rus, por Mostovoi tashmë ka rifilluar stërvitjet dhe ka falënderuar publikisht ata që e kanë mbështetur pas incidentit dramatik.

 
         
         
        