
Paratë u gjetën të fshehura në trup në Kapshticë, gjatë kontrollit në banesë iu sekuestruan edhe 35 mijë euro
Një 67-vjeçar është proceduar penalisht pasi ka tentuar të fuste në Shqipëri 38 mijë dollarë amerikanë të padeklaruara, duke i fshehur në trup, në pikën kufitare të Kapshticës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit pranë Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi Gj. F.
Gjatë kontrollit fizik, policia ka konstatuar se 67-vjeçari kishte të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë, të cilat nuk ishin deklaruar në kufi, në kundërshtim me ligjin.
Hetimet kanë vijuar edhe në banesën e tij në qytetin e Korçës, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan edhe 35 000 euro të tjera. Të gjitha shumat monetare janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet në ngarkim të shtetasit Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, janë referuar në Prokurori për veprat penale Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë si dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.
