Policia kufitare e Morinës ka goditur një rast tentative për të kontrabanduar sende me vlerë. Në pranga ka rënë një 33-vjeçar banues në Gjermani.
Gjatë kontrollit në makinën e të riut tip ‘Audi’, blutë bëjnë me dije se gjetën dhe sekuestruan bizhuteri me vlerë 50 mijë euro.
Njoftimi
Shërbimet e Policisë Kufitare në pikën e kalimit Morinë kanë goditur një rast të tentativës për kontrabandë të sendeve me vlerë. Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve ndërkufitare, u sekuestruan bizhuteri floriri dhe një orë dore, me vlerë rreth 50 000 euro, si edhe një automjet.
Gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, bazuar në analizën e riskut dhe përzgjedhjen e mjeteve për kontroll të detajuar, shërbimet policore kaluan në vijën e dytë automjetin tip “Audi”, drejtuar nga shtetasi Q. S..
Nga kontrolli i imtësishëm, në automjet u gjetën bizhuteri floriri dhe ora dore, të cilat drejtuesi nuk i kishte deklaruar sipas kërkesave ligjore. Sendet me vlerë dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin Q. S., 33 vjeç, banues në Gjermani, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
