
Ngjarja ndodhi tre javë më parë në zonën e Institutit, në pranga edhe dy persona për përkrahje të autorit
Policia e Tiranës ka arrestuar një 36-vjeçar, i cili dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas, rreth tre javë më parë, në zonën e Institutit. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Akuza”.
Në pranga është vënë shtetasi F. F., 36 vjeç, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë, si dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”.
Po ashtu, është arrestuar shtetasi I. L., 32 vjeç, për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 36-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës penale. Në flagrancë është arrestuar edhe shtetasi M. N., 30 vjeç, gjithashtu për “përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas hetimeve, F. F. ka plagosur me armë zjarri shtetasin M. J., për motive të dobëta. Pas ngjarjes, ai është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar dhe për t’iu shmangur arrestimit.
36-vjeçari u kap pas një ndjekjeje policore, teksa lëvizte me automjet së bashku me shtetasin M. N., nga zona e Institutit deri në bulevardin “Nënë Tereza”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
