
Një ngjashmëri fizike, disa foto të vjetra dhe miqësia midis familjeve kanë ushqyer për vite me radhë një teori konspirative që bie poshtë para fakteve historike.
Prej më shumë se shtatë vitesh, rrjetet sociale janë pushtuar nga një teori që pretendon se kryeministri kanadez Justin Trudeau është djali i jashtëligjshëm i ish-diktatorit kuban Fidel Castro. Ajo që nisi si një shaka në internet, është kthyer në një nga teoritë më të përhapura të konspiracionit në Amerikën e Veriut, pavarësisht se faktet historike e përgënjeshtrojnë plotësisht.
E gjitha filloi në vitin 2015, kur një foto e vjetër bardhë e zi e Fidel Castros me një grua dhe një foshnjë në krahë qarkulloi në rrjetet sociale. Gruaja u prezantua si Margaret Trudeau, nëna e kryeministrit aktual, dhe foshnja si vetë Justin. Por fotoja, siç u zbulua më vonë, i përkiste një vizite zyrtare në Kubë në janar të vitit 1976, dhe fëmija në krahët e Castros ishte në fakt Michel Trudeau, vëllai i vogël i Justin.

Në atë kohë, Justin Trudeau ishte pesë vjeç dhe familja e tij ndodhej në Kanada. Megjithatë, ngjashmëria fizike mes Castros dhe Trudeau, veçanërisht tiparet e fytyrës, mjaftoi që shumë përdorues në rrjet ta merrnin si provë.
Në nëntor të vitit 2016, pas vdekjes së Fidel Castros, teoria mori hov. Justin Trudeau publikoi një mesazh zyrtar ku lavdëronte përkushtimin e jashtëzakonshëm të liderit kuban ndaj popullit të tij. Kaq mjaftoi që komentuesit të përhapnin pretendimin se fjalët e tij ishin emocionale sepse ai po fliste për babain e tij të vërtetë.
Megjithatë, faktet historike e rrëzojnë këtë teori. Justin Trudeau ka lindur më 25 dhjetor 1971, që do të thotë se nëna e tij ka mbetur shtatzën në mars–prill 1971. Në atë periudhë, Margaret dhe Pierre Trudeau ishin tashmë në një lidhje të hapur dhe shumë të mediatizuar, madje ishin martuar në mars 1971, me një ceremoni sekrete, dhe po kalonin muajin e mjaltit. Nuk ekziston asnjë provë që Margaret Trudeau të ketë udhëtuar ndonjëherë në Kubë në atë periudhë.
Takimi i parë midis familjes Trudeau dhe Fidel Castros ndodhi vetëm pesë vjet më vonë, në 1976, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit kanadez në Havanë. Aty lindi një miqësi politike dhe personale mes dy familjeve, por shumë vonë për të pasur ndonjë lidhje gjaku.

Historiani Robert Wright, autor i librit “Three Nights in Havana”, e ka cilësuar këtë teori si të pabazë dhe absurde. Ai thekson se biografitë e tyre nuk përplasen në asnjë moment.
Megjithë përgënjeshtrimet, teoria vazhdon të qarkullojë në internet sa herë që Trudeau bëhet pjesë e ndonjë debati politik. Për kundërshtarët e tij, miti për birin e Castros shërben si mjet propagandistik për ta paraqitur si një lider autoritar që trashëgon “ADN-në e diktatorit.
Në realitet, e vetmja gjë që lidh dy burrat është miqësia midis Pierre Trudeau dhe Fidel Castros dhe një ngjashmëri e rastësishme që interneti e ka shndërruar në një legjendë moderne.