
Epiqendra u regjistrua në det pranë Skyros, por dridhjet u ndjenë qartë edhe në Atikë.
Një tërmet me magnitudë 4.6 goditi Greqinë mbrëmjen e së hënës, duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme në disa rajone të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin.
Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, dridhja u regjistrua në orën 23:04 në zonën detare verilindore të ishullit Skyros. Epiqendra ndodhej rreth 29 kilometra larg bregut, ndërsa zona më e afërt tokësore ishte Kymi, rreth 40 kilometra distancë.
Megjithëse tërmeti ishte me intensitet të moderuar, amplituda e tij ishte e mjaftueshme që banorët e Atikës dhe Athinës ta ndienin qartë, sidomos në zonat lindore të kryeqytetit. Disa qytetarë raportuan lëkundje të shkurtra, por të mprehta, pa shkaktuar panik.
Deri tani, autoritetet greke nuk kanë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa institucionet sizmologjike po monitorojnë situatën për pasgoditje të mundshme.
