
Tërmeti me magnitudë 6.2 ballë u regjistrua në det, epiqendra ndodhej pranë Petropavlovsk Kamchatsky, autoritetet në vigjilencë për pasgoditje
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter ka goditur rajonin e Kamchatka në Rusi, duke shkaktuar panik te banorët dhe shqetësime për ndonjë rrezik të mundshëm nga tsunami.
Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundjet janë regjistruar rreth orës 15:00 me orën lokale dhe epiqendra e tërmetit ishte në një zonë detare, rreth 143 kilometra në jug të Petropavlovsk Kamchatsky dhe 128 kilometra në verilindje të Vilyuchinsk.
Thellësia fokale e tërmetit është vlerësuar rreth 52 kilometra, çka sipas ekspertëve ka ndikuar në zbutjen e pasojave në sipërfaqe. Sizmiologët sqarojnë se fakti që goditja ndodhi kryesisht në det ka ulur ndjeshëm rrezikun për dëme të mëdha në zonat bregdetare.
Deri në këto momente nuk raportohet për viktima apo dëme materiale, por autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes dhe mbeten në gatishmëri për pasgoditje të mundshme.
Agjencitë sizmologjike vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa banorët e zonave pranë bregdetit janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë.
Rajoni i Kamchatkës konsiderohet një nga zonat më aktive sizmikisht në Rusi, për shkak të pozicionit të tij në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, ku lëkundjet e forta janë të shpeshta.
