
Aksioneri me 30% të kuotave nën hetim për vepra të rënda penale dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka tronditur ambientin sportiv, duke kërkuar masën e sigurisë arrest në burg për Ergys Agasin, aksionerin që zotëron 30% të kuotave të klubit Dinamo.
Sipas SPAK, Agasi dyshohet për përfshirje në disa vepra të rënda penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Këto dyshime lidhen me veprimtari të kryer në bashkëpunim, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Po ashtu, ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
SPAK ka bërë të ditur se masa e sigurimit arrest në burg është kërkuar në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, duke i paraprirë ekzekutimit të vendimit që pritet të merret nga gjykata kompetente.
Zhvillimet e fundit kanë krijuar tronditje të fortë te klubi Dinamo dhe në opinionin sportiv, ndërsa pritet që ditët në vijim të sjellin më shumë detaje mbi këtë çështje që po hetohet nga drejtësia e posaçme.
