Një lëkundje me magnitudë 4.2 goditi mëngjesin e sotëm rajonin e Balikesirit, duke shkaktuar frikë mes banorëve që u zgjuan nga gjumi.
Turqia është tronditur sërish nga një tërmet i ndjeshëm në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas Drejtorisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), lëkundja u regjistrua në orën 07:58 me epiqendër në zonën Sindregi të provincës Balikesir, në pjesën perëndimore të vendit. Magnituda e tërmetit ishte 4.2 ballë, ndërsa thellësia fokale u përcaktua në 6.8 kilometra.
Dridhja u ndje gjerësisht në qytetet përreth, duke përfshirë Izmirin dhe Bursën, ku shumë banorë raportuan se u zgjuan të tronditur nga gjumi. Pamje dhe komente të shumta në rrjetet sociale treguan momente paniku dhe njerëz që dolën me nxitim jashtë banesave.
Deri tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar, por autoritetet po ndjekin nga afër situatën dhe kanë paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë vigjilentë për pasgoditje të mundshme.
Turqia ndodhet në një nga zonat më aktive sizmikisht në botë, dhe tërmetet e shpeshta mbeten një rrezik i vazhdueshëm për vendin.
