Një operacion shpëtimi i Rojës Bregdetare Greke në ujërat pranë ishullit “Prasoudi” të Igumenicës përfundoi me sukses, duke shpëtuar jetën e një 50-vjeçari shqiptar, i cili po rrezikonte të mbytej pasi skafi i tij kishte filluar të fundosej.Megjithatë, pas shpëtimit, autoritetet bënë një zbulim surprizues: në mjetin gjysmë të fundosur u gjet një sasi e madhe droge, me peshë totale 135.88 kilogramë kanabis të papërpunuar.
Sipas njoftimit zyrtar, me ndihmën e një zhytësi privat, nga brendësia e skafit u nxorën pesë pako plastike që përmbanin 79.75 kg kanabis, ndërsa gjatë hetimeve të mëvonshme, në zonën detare të “Votës” në Sagiada, u gjet edhe një qese shtesë me gjashtë pako të tjera që peshonin 56.13 kg
Në total, droga e sekuestruar arrin vlerën e rreth 400 mijë eurove, sipas vlerësimeve të autoriteteve greke.
50-vjeçari shqiptar u arrestua nga Autoriteti Qendror Portual i Igumenicës, i cili po kryen hetimet paraprake. Ai akuzohet për trafik të lëndëve narkotike dhe hyrje të paligjshme në territorin grek, pasi nuk posedonte dokumente të vlefshme udhëtimi.Përveç drogës, u sekuestruan skafi prej poliesteri, që shërbente si mjet transporti, dhe një telefon celular që do t’i nënshtrohet ekspertizës.
