

Bandat shqiptare ndërtuan pasuri marramendëse në atdhe, duke lënë pas krime, vrasje dhe shkatërrim
Hetime të fundit të mediave britanike kanë zbuluar mekanizmat përmes të cilëve klane të fuqishme shqiptare të drogës kanë ndërtuar një perandori shumë milionë paundëshe në atdhe, duke përdorur Londrën dhe sidomos zonën e Tottenhamit, si bazë të operacioneve kriminale.
Sipas raportimeve, rrjetet shqiptare kontrollonin pjesë të mëdha të tregut të kokainës në kryeqytetin britanik. Fitimet kolosale nuk mbeteshin vetëm aty: ato kanalizoheshin në Shqipëri, ku investoheshin në prona, biznese dhe aktivitete të tjera legale, duke u shndërruar në një ekonomi paralelë me ndikim të madh.
Pasuria e tyre, megjithatë, nuk u ngrit pa gjak. Çdo hap i rrugës kriminale shoqërohej me dhunë, larje hesapesh dhe vrasje, që lanë pas një bilanc tragjik. Tottenham, sipas hetuesve britanikë, ishte vetëm maja e ajsbergut: një pikë e dukshme në një rrjet të shtrirë mes Londrës dhe Shqipërisë, ku krimi i organizuar shqiptar luajti një rol qendror.
Autoritetet britanike e shohin këtë fenomen si një nga sfidat më serioze për rendin publik, duke theksuar se bandat shqiptare kanë krijuar një strukturë të sofistikuar, të aftë të pastrojë paratë e drogës përmes investimeve të ligjshme në atdhe.
Ky skandal hedh dritë mbi mënyrën se si emigracioni i deformuar nga krimi i organizuar është shndërruar në një plagë për dy shoqëri: atë britanike, që përballet me kriminalitetin në rrugët e saj dhe atë shqiptare, ku shfaqen pasuri të pashpjegueshme që forcojnë korrupsionin dhe padrejtësinë./ The Sun