Gazeta britanike The Telegraph i ka kushtuar sërish një artikull 31-vjeçarit shqiptarë, Dorian Puka.
Këtë herë, The Telegraph është ndalur tek videot që Puka poston në rrjetet e tij sociale.
The Telegraph e nisi artikullin, duke shkruar se hajduti shqiptar që lufton kundër deportimit ka përdorur mediat sociale për të treguar një moment në një klub nate, gjatë së cilës ai i mbulon vajzat me para.
Siç shihet edhe në pamje, Puka shihet duke shijuar shampanjë në një seksion VIP me balerina në klubin Cirque le Soir në Mayfair.
Teksa balerinat sjellin shishe shampanje të shtrenjtë me fishekzjarre brenda, shqiptari i mbulon me paund. The Telegraph shkruan gjithashtu se klubi është i njohur për personazhet e famshëm.
Në artikull janë përmendur edhe arrestimet dhe deportimet e 31-vjeçarit dhe thuhet se Puka vitin e kaluar është tallur me Ministrinë e Brendshme me video në TikTok të stilit të tij luksoz të jetesës.
Po ashtu në artikull theksohet se Ministria e Brendshme ka pranuar se është e pafuqishme ta largojë përsëri Pukën.
