
Bilanci i zjarrit masiv në tetë rrokaqiejtë e Tai Po vazhdon të rritet, ndërsa qindra persona rezultojnë ende të zhdukur
Thellohet bilanci i tragjedisë pas zjarrit që pushtoi tetë rrokaqiejtë e lagjes Tai Po në Hong Kong, ku të paktën 36 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 279 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Zyrtarët thonë se 29 persona janë plagosur, duke përfshirë shtatë në gjendje kritike.
Flakët vazhdojnë të digjen në skelat prej bambuje që rrethojnë ndërtesat, ndërsa pamjet dramatike të zjarrit kanë bërë xhiron e rrjetit. Mbi 128 automjete zjarrfikëse, 57 ambulanca, 767 zjarrfikës dhe 400 oficerë policie janë angazhuar në operacionin e shuarjes dhe evakuimit.
Më shumë se 700 banorë janë strehuar në pesë qendra emergjence të ngritura nga autoritetet lokale. Zjarri, i konsideruar si më vdekjeprurësi në Hong Kong prej dekadash, shpërtheu në kompleksin rezidencial Wang Fuk Court, që përbëhet nga tetë kulla me rreth 2,000 apartamente dhe mbi 4,800 banorë.
Presidenti Xi Jinping ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat, ndërsa partitë politike në Hong Kong kanë pezulluar aktivitetet e fushatave në shenjë solidariteti me komunitetin e goditur. Disa shkolla në zonë pritet të mbeten të mbyllura deri të enjten.
Sipas këshilltarit të Qarkut Tai Po, Mui Siu-fung, qindra njerëz janë strehuar dhe evakuimet mbeten të vazhdueshme, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave të bllokuar brenda ndërtesave apo shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit.
