Një 47-vjeçar e ka zgjidhur konfliktin në fshat me një të moshuar, duke i shembur derën e shtëpisë me makinën e tij, për të cilën nuk kishte as dokumente.
Autori i dyshuar është person me precedentë penalë dhe aktualisht në masën “arrest shtëpie” nga Gjykata, për akuzën e drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt.
TRAGJIKE në Selenicë/ Zjarr në banesë, humb JETËN i moshuari!
Por sherri për motive të dobëta nuk e ka ndaluar ta thyejë këtë masë dhe të godasë banesën e 66-vjeçares në fshatin Thanë, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale.
Policia e Elbasanit ka ndërhyrë menjëherë, duke prangosur 47-vjeçarin dhe vijuar më tej hetimet për akuzat e ngritura.
Njoftimi i Policisë Elbasan:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Thanë, një shtetas kishte dëmtuar me automjet, portën e një banese, kanë kryer menjëherë veprimet hetimore për identifikimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi O. L., 47 vjeç, banues në fshatin Thanë.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, portën e banesës së shtetases S. H., 66 vjeçe, në fshatin Thanë.
Nga verifikimet rezultoi se 47-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “shkatërrimi i pronës”.
