Ti nuk lexon-Nga Edison Ypi
Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të ngordhësh. Sepse ti nuk lexon.
Vendi yt ka vuajtur një nga diktaturat më kriminale të botës. Tani është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk mendojnë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh laryshinë marramendëse të karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, pra askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.
Kur në rrethinat e qytetit sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, edhe me basene të kaltra, ti nis e bërtet; Janë bërë me pare droge. Ore, të thonë, eja në vete, kanë punuar në kurbet, kanë ngritur llaç e beton mbi shpinë në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite e vite. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.
Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar rrallëherë përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar, kështjella të lashta, kisha, monastere, fytyra të çuditëshme banorësh lokalë. Dhe habitesh. Dhe nuk beson. Të duket si film. Sepse ti që nuk lexon, as nuk udhëton. Duke mos udhëtuar nuk ndjen. Duke mos ndjerë nuk beson.
Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kaq flliqt sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe ca gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe në fytyrë të Dheut, ti që nuk lexon.
Ti voton, dhe të nesërmen ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo llaftari ndodh ngaqë ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti që nuk lexon nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se e gjithë batërdia e librave me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, ikje.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i thashethemnon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, skutat e tyre frymëndalëse, nazet e tyre të ëmbla, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.
Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh cullak te Sheshi Skënderbej. Ti këtë turp e bën sepse ti nuk lexon.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që flasin për libra, recitojnë Poezi. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i bastardave të Letërsisë, autorëve të këqinj, grafomanëve, delirantëve, atyre që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as Dreqit.
