 
        
Debati për Reformën Zgjedhore degjeneron në replika personale dhe akuza për hipokrizi politike
Seanca e sotme në Kuvend u shoqërua me tone të larta dhe përplasje të forta verbale mes kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe deputetit opozitar Agron Shehaj. Shkak u bë diskutimi për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore, një proces që po nxit gjithnjë e më shumë tensione mes palëve.
Gjatë fjalës së tij, Balla falënderoi mazhorancën dhe opozitën për konsensusin mbi tekstin përfundimtar të projektvendimit, por goditi ashpër Shehajn, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe qëndrime kontradiktore. “Ti që bën interesantin, nuk di as të lexosh. Parlamentin e ke bërë shkollë nate”, deklaroi ai mes replikave të shumta.
Në vijim, Balla shtoi se Shehaj nga njëra anë kritikon procesin, ndërsa nga ana tjetër bashkëpunon me të njëjtët njerëz për interesa elektorale. “Ditën ulesh me ta në tavolinë për të gjetur kandidatë dhe pastaj u shan bukën,” vijoi Balla, ndërsa salla shpërtheu në zhurmë.
Në mbyllje, kreu i grupit socialist theksoi se qëllimi i reformës është të garantojë transparencë dhe rregulla të qarta për financimin e partive, duke bërë thirrje që debati politik të mos kthehet në përplasje personale.
Nga ana tjetër, Shehaj reagoi duke akuzuar mazhorancën për tentativë për të përjashtuar partitë e reja dhe për të kontrolluar procesin zgjedhor në favor të forcave të vjetra.

 
         
         
         
         
        