
Një furgon me tifozë të PAOK-ut u përplas me dy kamionë në qarkun Timiş, ndërsa udhëtonte drejt Francës për ndeshjen kundër Lionit, tre persona mbetën të plagosur rëndë
Gjashtë persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në qarkun Timiş të Rumanisë, ku u përfshinë tifozë grekë që po udhëtonin drejt Francës.
Sipas mediave të huaja, viktimat ishin tifozë të PAOK, të cilët ishin nisur drejt Lionit për të ndjekur ndeshjen e planifikuar pas dy ditësh kundër ekipit francez Lyon.
Policia e qarkut Timiş bëri me dije se nga hetimet paraprake rezulton se shoferi i furgonit tentoi të parakalonte një mjet tjetër. Gjatë manovrës për t’u rikthyer në korsinë e tij, furgoni u përplas fillimisht me një kamion dhe më pas u godit nga një kamion tjetër që lëvizte në sensin e kundërt.
Si pasojë e përplasjes së fortë, gjashtë persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë u transportuan me urgjencë në spital. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një tjetër në gjendje serioze.
Autoritetet rumune vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik, i cili ka tronditur komunitetin sportiv grek dhe tifozët e PAOK-ut.
