
Transmetimi i realizuar nga qelia ngre shqetësime për sigurinë në burgje dhe përdorimin e paligjshëm të rrjeteve sociale
Një shtetas shqiptar i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe autoriteteve britanike pasi ka arritur të fitojë rreth 20 mijë paund në vetëm shtatë minuta përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok, të realizuar nga brenda burgut ku ndodhet i izoluar prej vitit 2022.
Sipas raportimeve të mediave britanike, bëhet fjalë për Eugert Merizaj, i cili dyshohet se ka përdorur një telefon të futur në mënyrë të paligjshme në qeli për të marrë pjesë në një format loje live në TikTok, ku përdoruesit u kërkojnë ndjekësve dhurata virtuale që më pas konvertohen në para reale. Gjatë transmetimit, ai ka grumbulluar mbi 5.4 milionë pikë, të barasvlershme me rreth 20 mijë paund.
Raportimet bëjnë me dije se Merizaj ka përdorur disa llogari në platformë për të rritur të ardhurat, ndërsa paratë dyshohet se janë transferuar në llogarinë e një personi jashtë burgut. Pamjet e transmetuara e shfaqin atë duke pirë cigare dhe me veshje luksoze, çka ka shtuar reagimet publike dhe institucionale.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta nga autoritetet britanike. Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar nisjen e një hetimi urgjent për mënyrën se si pajisjet elektronike kanë përfunduar në qeli, ndërsa TikTok ka bllokuar llogaritë e përdorura dhe ka pezulluar mundësinë e tërheqjes së shumës së grumbulluar.
Eugert Merizaj është dënuar në vitin 2022 me 32 vite burg për vrasjen me armë zjarri të një personi në vitin 2019. Sipas raportimeve, autoritetet shqiptare kanë pranuar njohjen e vendimit dhe ai pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri, pas transferimit nga Mbretëria e Bashkuar.
Rasti ka rihapur debatin në Britani mbi sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe kontrollin e përmbajtjeve në rrjetet sociale.
