
Një gjykatë islame në qytetin konservator të Kanos ka urdhëruar martesën e dy influencuesve të TikTok-ut, pasi publikuan një video ku putheshin dhe përqafoheshin, një akt që konsiderohet i papranueshëm nga ligjet fetare lokale.
Një vendim i pazakontë ka tronditur Nigerinë veriore. Një gjykatë fetare në qytetin Kano ka dënuar dy të rinj, Idris Mai Wushirya dhe Basira Yar Guda, të njohur në TikTok me mbi 300 mijë ndjekës, që të martohen brenda 60 ditësh. Shkaku: një video ku ata shfaqeshin duke puthur njëri-tjetrin, e cila u konsiderua si akt imoral në një shoqëri të ndërtuar mbi normat e rrepta të sheriatit islam.
Sipas vendimit të gjykatës, martesa do të kryhet nga “Hisbah”, policia fetare që zbaton ligjin e sheriatit në rajon. Drejtori i përgjithshëm i kësaj strukture, Abba Sufi, konfirmoi se procedurat kanë nisur dhe se çifti ka dhënë pëlqimin për martesën. “Ne do ta organizojmë ceremoninë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai për agjencinë AFP.
Përpara se të zhvillohet ceremonia, autoritetet kanë kërkuar që të rinjtë t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor dhe testimeve për sëmundje infektive si hepatiti dhe HIV, ndërsa pritet të përcaktohet edhe shuma e “dotës” që do të paguhet nga familja e dhëndrit.
Hisbah ka marrë pëlqimin e prindërve të djalit dhe është në pritje të konfirmimit nga familja e vajzës, e cila jeton në një tjetër shtet, rreth 300 kilometra larg.
Kano është një nga 12 shtetet nigeriane që zbaton paralelisht ligjin civil dhe sheriatin islam. Në këtë rajon, policia fetare është e njohur për ndëshkimin e personave publikë dhe artistëve që, sipas saj, shkelin normat morale të besimit.
Vendimi ndaj dy TikTokerëve ka ndezur debat në rrjete sociale, mes atyre që e konsiderojnë “absurd” ndërhyrjen e shtetit në jetën private dhe atyre që e shohin si mbrojtje të vlerave tradicionale.
Në Nigerinë veriore, një zonë me rritje të industrisë së filmit “Kannywood”, autoritetet fetare kanë zgjeruar që prej vitit 2022 kontrollin e tyre edhe mbi rrjetet sociale, duke ndëshkuar influencues që, sipas tyre, “përhapin imoralitet” online.