
Qindra metra të bulevardit dhe disa akse kyçe do të mbyllen nga ora 14:00, ndërsa tubimi i PD zhvillohet nga 18:00 deri në 20:00
Policia e Tiranës ka njoftuar masat e zgjeruara të sigurisë për protestën e Partisë Demokratike që do të mbahet mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë. Tubimi është planifikuar të zhvillohet nga ora 18:00 deri në 20:00, por kufizimet në qarkullim nisin disa orë më herët dhe pritet të ndikojnë ndjeshëm në lëvizjen e automjeteve në zonën qendrore.
Sipas policisë, nga ora 14:00 do të ndalohet çdo lloj parkimi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në sheshin Nënë Tereza, në rrugët Ismail Qemali, Papa Gjon Pali II, Zhan D’Ark, Bajram Curri, si edhe në segmentet pranë Rrugës së Elbasanit dhe Ibrahim Rugova.
Një orë më vonë, nga ora 15:00, nis bllokimi i qarkullimit për automjetet që lëvizin në bulevard nga Ministria e Brendshme drejt sheshit Nënë Tereza. Po ashtu do të mbyllen rrugët Ukraina e Lirë, Papa Gjon Pali II dhe Ismail Qemali, ndërsa qarkullimi do të devijohet në akse dytësore.
Policia paralajmëron se, në varësi të dinamikës së protestës, mund të ketë kufizime shtesë edhe në rrugë të tjera të zonës. Qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet me automjet në bulevard gjatë orëve të pasdites për të mos penguar qarkullimin e pjesëmarrësve dhe për të lehtësuar menaxhimin e situatës.
