
Ngjarja ndodhi në Lake Cargelligo, në ditën kombëtare të zisë për viktimat e sulmit në Bondi, ndërsa autori është ende në arrati
Australia është tronditur sërish nga një tjetër ngjarje e rëndë me armë zjarri. Tre persona u vranë të enjten, më 22 janar, në shtetin e New South Wales, pothuajse një muaj pas sulmit fatal në Bondi Beach që la pas 15 viktima.
Sipas policisë, të shtënat ndodhën në qytetin Lake Cargelligo, rreth 600 kilometra në perëndim të Sidneit. Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një rast dhune në familje, ndërsa autori i sulmit mbetet ende në arrati. Pas ngjarjes është nisur një operacion i gjerë policor dhe banorëve u është kërkuar të qëndrojnë brenda banesave për arsye sigurie.
Ndihma e shpejtë dhe shërbimet e emergjencës u thirrën në vendngjarje rreth orës 16:20, pasi policia mori njoftime për të shtëna me armë nga një automjet. Shefi i Policisë për Rajonin Perëndimor, Andrew Holland, konfirmoi se situata mbetet e ndjeshme dhe hetimet janë në zhvillim.
Ngjarja ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Australia po përkujtonte viktimat e sulmit në Bondi Beach, duke shtuar tronditjen dhe shqetësimin publik. Kjo pavarësisht faktit se në New South Wales zbatohen ligje të rrepta për armëmbajtjen, të cilat kufizojnë numrin e armëve dhe kërkojnë licenca të posaçme për poseduesit.
Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
