
SPAK ekspozon një tjetër aferë pronash në bregdetin e Durrësit. Bisedat e përgjuara në SkyECC zbulojnë planin për tjetërsimin e 500 dynymëve në zonën e mbrojtur të Kepit të Rodonit, me bekimin e një “të gjati” në pushtet.
Hetimet e SPAK ndaj grupit të njohur të Avdylajve dhe Aleksandër Lahos, i identifikuar si “Rrumi i Shijakut”, kanë zbuluar një tjetër skemë abuzimi të sofistikuar me pronat bregdetare, këtë herë në Kepin e Rodonit, një nga zonat më të mbrojtura dhe me vlerë historike në vend.
Në dosjen hetimore, e cila përmban qindra faqe përgjime nga rrjeti i enkriptuar SkyECC, del në pah një seri bisedash mes Vullnet Muçës, vëllait të “Rrumit” dhe një bashkëpunëtori ende të paidentifikuar, ku flitet hapur për miratimin që, sipas tyre, kishte ardhur nga një zyrtar i lartë i quajtur “i gjati”.
Në qendër të planit ndodhej një sipërfaqe prej 500 dylymësh tokë në zonën ku ndodhet Kisha Katolike e Rodonit, tokë që ishte pjesë e një zonë të mbrojtur me rëndësi historike e mjedisore. Bisedat sugjerojnë se grupi po përgatitej për një projekt ndërtimor fiktiv, që do të justifikohej përmes lejeve të manipuluara dhe falsifikimit të dokumenteve të pronësisë.
Burime pranë SPAK konfirmojnë se hetimi është zgjeruar për të identifikuar “të gjatin” që përmendet në biseda dhe rolin e tij në dhënien e miratimeve për investime të ndaluara në zona të mbrojtura.
Ndërkohë, kjo çështje lidhet edhe me përplasjen fizike të tetë personave në tetor 2023 në zonën e Kepit të Rodonit, ku përfaqësues të Kishës Katolike u konfliktuan me persona të lidhur me familjen Kaçuli, të cilët pretendojnë se kanë të drejtë mbi të njëjtën sipërfaqe.
Sipas hetuesve, ky incident ishte vetëm maja e ajsbergut të një konflikti shumë më të thellë, që përfshin biznesmenë, zyrtarë vendorë dhe ndërmjetës politikë në luftë për çdo pëllëmbë toke përgjatë bregdetit të Durrësit.
Në përfundim, SPAK e cilëson këtë dosje si një shembull tipik të ndërthurjes mes krimit ekonomik dhe ndikimit politik në abuzimin me pronat publike, ndërsa hetimet për lidhjet e mundshme me zyrtarë të niveleve të larta vijojnë në fshehtësi.