
Të detyruara të ofronin 15 deri në 20 shërbime seksuale në ditë, viktimat gjeneronin fitime deri në 5 mijë euro në ditë për organizatën kriminale.
Një operacion i përbashkët i Europol, autoriteteve shqiptare dhe kolumbiane ka shkatërruar një organizatë kriminale që rekrutonte gra të reja për shfrytëzim seksual në Europë. Shqipëria rezulton të ketë qenë baza kryesore e aktivitetit, me dhjetëra vajza të trafikuara dhe abuzuara.
Një hetim i thelluar ndërkombëtar ka zbuluar rrjetin më të madh të trafikimit të grave mes Kolumbisë dhe Shqipërisë, një organizatë kriminale që për vite kishte shfrytëzuar dhjetëra vajza të reja për përfitime seksuale dhe financiare.
Sipas autoriteteve kolumbiane, 13 persona u arrestuan në Medellín dhe në Luginën e Aburrás, të dyshuar si pjesë e strukturës që rekrutonte, transportonte dhe shfrytëzonte gra kolumbiane nën pretekstin e punësimit në Evropë.
Hetimi i koordinuar nga Europol dhe policitë e disa vendeve evropiane zbuloi se Shqipëria ishte qendra kryesore e aktivitetit, ku vetëm në katër vitet e fundit u identifikuan 44 viktima të trafikuara. Në total, 60 vajza dhe gra u gjetën në vende si Shqipëria, Kroacia, Bahreini, Kosova dhe Mali i Zi, të gjitha të mbajtura në kushte shfrytëzimi ekstrem.
Sipas dosjes hetimore, çdo vajzë detyrohej të nënshkruante një “borxh” prej 5 mijë eurosh për shpenzimet e udhëtimit dhe dokumentacionit. Por sapo mbërrinin në vendet e destinacionit, ato përballeshin me realitetin e errët të abuzimit dhe dhunës. Të detyruara të ofronin 15 deri në 20 shërbime seksuale në ditë, viktimat gjeneronin fitime deri në 5 mijë euro në ditë për organizatën kriminale.
Hetuesit zbuluan se rrjeti kishte degë operative në Greqi, Kroaci, Kosovë, Maltë, Mal të Zi dhe Bahrein, dhe vepronte përmes një zinxhiri të sofistikuar që shfrytëzonte varfërinë dhe dëshpërimin e grave të reja. Paratë e përfituara dërgoheshin përmes kanaleve të paligjshme drejt Maltes dhe Kolumbisë, ku drejtuesi kryesor i organizatës, i njohur me nofkën “Lukas”, koordinonte veprimet. Ai zotëronte edhe shtetësi malteze, dhe vepronte bashkë me babain e tij, që ndodhej po ashtu nën hetim.
Operacioni që çoi në prangosjen e anëtarëve të rrjetit përfshiu 14 bastisje, gjatë të cilave u sekuestruan tre armë zjarri, municione, 15 telefona celularë, katër kompjuterë dhe dokumente financiare që provojnë aktivitetin kriminal. Të arrestuarit, të moshës nga 22 deri në 56 vjeç, janë akuzuar për trafikim ndërkombëtar të qenieve njerëzore, bashkëpunim kriminal dhe posedim armësh pa leje.
Autoritetet e Kolumbisë dhe Shqipërisë po bashkëpunojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët në territorin shqiptar dhe për të siguruar mbrojtje për viktimat që janë vendosur në qendra të posaçme rehabilitimi.
Kjo goditje e fundit, sipas Europol, është një nga më të mëdhatë e viteve të fundit në luftën kundër trafikimit të grave në Evropën Juglindore, duke nxjerrë në dritë një realitet tronditës: Shqipëria është shndërruar në një nyje kryesore të një zinxhiri kriminal që ushqehet me shpresat e thyera të vajzave të reja nga Amerika Latine.