
Autoritetet franceze paralajmërojnë rritje alarmante të përdorimit dhe shitjes së protoxyde d’azote mes të rinjve, mes dhunës, aksidenteve dhe varësisë në rritje
Një raport i siguruar nga BFMTV ka ndezur alarmin në Francë: trafiku i protoxydit të azotit, i njohur si gaz “hilarant” ose “proto”, po rritet me shpejtësi shqetësuese në rajonin e Parisit. Vetëm mes janarit dhe tetorit 2025, policia ka regjistruar 1207 ndërhyrje të lidhura me këtë substancë, me një rritje prej 52% krahasuar me një vit më parë.
Gaz i padukshëm dhe me shije të lehtë të ëmbël, proto shkakton efekte euforike për disa sekonda kur thithet, por përdorimi abuziv shoqërohet me pasoja të rënda neurologjike, kardiake dhe psikologjike. Policët e anti-drogës (Ofast) theksojnë se tregtia e tij është zgjeruar ndjeshëm, duke u shndërruar në fenomen të përhapur sidomos tek moshat 19–24 vjeç.
Rastet kriminale të zbuluara së fundmi tregojnë se substanca po përdoret edhe në rrjete shfrytëzimi prostitucioni, ku vajzave u ofrohej proto për të bërë “përcjelljen” më të lehtë. Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për rritjen e refuzimeve për të ndalur ndaj policisë dhe aksidenteve rrugore të shkaktuara nga përdorimi i saj.
Prej vitit 2021, shitja tek të miturit është e ndaluar me ligj, por mbetet e lehtë të sigurohet në tregje e supermarkete, çka e bën masën thuajse joefektive. Një projekt-ligj për ndalimin e shitjes ndaj qytetarëve të zakonshëm është miratuar në lexim të parë në Asamblenë Kombëtare, por zbatimi i plotë varet ende nga vendimet e autoriteteve lokale.
Lufta kundër gazit “hilarant” pritet të intensifikohet, ndërsa debatet mbi kriminalizimin e tij të plotë po marrin vrull në Francë.
