
Çifti sapo ishte martuar, ndërsa bashkëshorti ndodhet në terapi intensive me plagë kritike
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një nuse e re humbi jetën në rrethana dramatike vetëm pak çaste pasi i mbijetoi një aksidenti automobilistik. Viktima është Samara Prado Martins, 24 vjeçe, arkitekte me profesion, e cila ishte martuar vetëm një muaj më parë.
Sipas autoriteteve, Samara po udhëtonte së bashku me bashkëshortin e saj Thiago Oliveira Martins nga plazhi, kur automjeti i tyre doli nga kontrolli dhe u përmbys në anë të autostradës pranë qytetit Ponta Grossa, në shtetin jugor të Paraná. Aksidenti ndodhi rreth orës 07:50 të mëngjesit.
Policia Rrugore Federale njoftoi se çifti arriti të dalë vetë nga makina e përmbysur, por vetëm pak sekonda më vonë u goditën nga një kamion që po kalonte në të njëjtën rrugë. Samara humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë dhe u transportua me urgjencë me helikopter drejt spitalit, ku ndodhet në terapi intensive në gjendje kritike.
Familjarët e çiftit, të cilët udhëtonin me një automjet tjetër pas tyre, u kthyen mbrapsht sapo kuptuan se kishte ndodhur aksidenti. Ndërkohë, drejtuesi i kamionit dhe personat që ndodheshin në të nuk pësuan lëndime.
Samara, me origjinë nga Dourados në Mato Grosso do Sul, kishte përfunduar së fundmi studimet në arkitekturë dhe punonte në një studio lokale. Miq, kolegë dhe familjarë kanë shpërndarë mesazhe prekëse në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e saj dhe mbështetjen për bashkëshortin e plagosur.
Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të parë që çoi në përmbysjen e automjetit. Trupi i Samarës është transportuar drejt qytetit të lindjes, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.
