
Të paktën 22 persona humbën jetën dhe rreth 80 u plagosën kur një vinç ndërtimi u shemb mbi një tren që udhëtonte nga Bangkoku drejt verilindjes së vendit
Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Tajlandën këtë të mërkurë, kur një vinç ndërtimi ra mbi një tren pasagjerësh në distriktin Sikhio të provincës Nakhon Ratchasima, rreth 230 kilometra në verilindje të Bangkok. Si pasojë e ngjarjes, të paktën 22 persona humbën jetën dhe rreth 80 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa bilanci pritet të rritet.
Sipas autoriteteve, treni po udhëtonte nga Bangkoku drejt provincës Ubon Ratchathani kur vinçi, i përdorur për ndërtimin e një linje të re hekurudhore të shpejtësisë së lartë, u rrëzua mbi vagonët në lëvizje. Goditja shkaktoi daljen nga shinat e trenit dhe një zjarr të përkohshëm në disa prej vagonëve.
Ministri i Transportit, Phiphat Ratchakitprakarn, bëri me dije se në bord ndodheshin 195 pasagjerë dhe se ka urdhëruar një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Viktimat ishin kryesisht në dy nga tre vagonët e goditur drejtpërdrejt nga struktura metalike e vinçit.
Ekipet e emergjencës dhe shpëtimit u angazhuan menjëherë në vendngjarje, duke përdorur pajisje të rënda për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar mes rrënojave. Sipas dëshmitarëve okularë, zhurma e përplasjes ishte e fortë dhe u shoqërua me shpërthime të njëpasnjëshme.
Autoritetet tajlandeze kanë bërë të ditur se vinçi ishte pjesë e një projekti të përbashkët tajlandezo-kinez për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë, e cila po ndërtohet mbi një platformë betoni mbi linjën ekzistuese. Ky projekt ka qenë në ndërtim prej vitesh dhe konsiderohet një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në rajon.
Aksidentet industriale dhe ndërtimore mbeten një problem serioz në Tajlandë. Vitet e fundit, disa ngjarje të rënda në hekurudha dhe kantiere ndërtimi kanë shkaktuar dhjetëra viktima, duke ngritur shqetësime mbi standardet e sigurisë dhe mbikëqyrjen teknike.
Autoritetet kanë premtuar transparencë dhe përgjegjësi, ndërsa familjarët e viktimave presin përgjigje dhe drejtësi për një nga aksidentet më të rënda hekurudhore të viteve të fundit në vend.
