
Nëna 40-vjeçare akuzohet për vrasje nga pakujdesia dhe abuzim me fëmijë, pasi arma ishte lënë e arritshme brenda shtëpisë
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Hayden, në shtetin amerikan të Alabamës, ku një fëmijë ka gjetur një armë zjarri të mbushur në banesë dhe ka qëlluar për vdekje një djalë 2-vjeçar. Viktima, Noah, ndërroi jetë pasi u qëllua në kokë, ndërsa autoritetet kanë arrestuar dhe akuzuar nënën e tij, 40-vjeçaren Evelyn Etress.
Sipas autoriteteve lokale, në momentin e tragjedisë në shtëpi ndodheshin gjashtë fëmijë dhe vetëm një i rritur. Fëmijët po luanin në dhomën e gjumit të nënës, kur u dëgjua një krismë. Kur gruaja hyri në dhomë, gjeti djalin e saj të vogël të plagosur rëndë dhe një pistoletë të lënë në një dollap.
Policia konfirmoi se Noah ishte ende gjallë kur mbërritën shërbimet e emergjencës dhe u dërgua me urgjencë në spital, por përpjekjet për ta shpëtuar dështuan. Ai u shpall i vdekur pak më vonë nga mjekët.
Prokuroria e Qarkut Blount bëri të ditur se arma nuk ishte siguruar dhe se në banesë janë gjetur edhe armë të tjera që fëmijët mund t’i arrinin lehtësisht. Hetuesit theksuan se plaga nuk ishte vetëshkaktuar dhe se bëhet fjalë për një aksident fatal për shkak të neglizhencës.
Prokurorja e qarkut u bëri thirrje prindërve që të mbajnë armët e zjarrit të shkarkuara dhe të mbyllura në vende të sigurta, larg fëmijëve. Ajo paralajmëroi se për fëmijët e vegjël një armë nuk dallon nga një lodër dhe se një pakujdesi e tillë mund të kthehet në tragjedi brenda pak sekondash.
Autoritetet kanë ngritur akuza për vrasje nga pakujdesia, abuzim të rëndë me fëmijë dhe vepra të tjera penale ndaj nënës, ndërsa hetimet për rastin vijojnë. Ngjarja ka rihapur debatin mbi sigurinë e armëve brenda familjeve dhe përgjegjësinë e prindërve për mbrojtjen e jetës së fëmijëve.
