
Një mal mbetjesh toksike u shemb në Cebu City, duke zënë poshtë dhjetëra punonjës, ndërsa ekipet e shpëtimit garojnë me kohën
Një fatkeqësi e rëndë ka goditur Filipinet, ku një landfill gjigant është shembur papritur, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra persona të zhdukur. Ngjarja ndodhi në landfillin Binaliw, në Cebu City, një impiant privat për përpunimin e mbetjeve urbane.
Sipas autoriteteve lokale, një grumbull masiv mbeturinash, që arrinte lartësinë e disa kateve, u rrëzua mbi punonjësit e pastrimit dhe strukturat e brendshme të landfillit. Të paktën një grua humbi jetën gjatë transportimit drejt spitalit, ndërsa mbi 30 persona rezultojnë ende të zhdukur. Dymbëdhjetë të tjerë janë nxjerrë të gjallë nga nën mbeturina dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Kryebashkiaku i Cebu City, Nestor Archival, deklaroi se ka shenja jete nën masën e mbetjeve dhe se operacionet e kërkim shpëtimit do të vazhdojnë deri të dielën. Në terren janë angazhuar qindra shpëtimtarë, ndërsa pritet të mbërrijnë edhe forca shtesë për të ndihmuar në operacion.
Puna e ekipeve është vështirësuar nga rreziku i shpërthimit të gazit metan që çlirohet nga mbeturinat, si dhe nga ajri toksik, çka kufizon përdorimin e mjeteve të rënda. Pamjet ajrore tregojnë ndërtesa të shkatërruara plotësisht nga pesha e mbetjeve, përfshirë zyra dhe magazina të kompanisë që operon landfillin.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e shembjes, ndërsa disa punonjës kanë pohuar se prej vitesh kishin ngritur shqetësime për lartësinë e rrezikshme të grumbullit të mbeturinave. Ngjarja ka rikthyer kujtimet e një prej tragjedive më të rënda në historinë e vendit, kur në vitin 2000 mbi 200 persona humbën jetën nga një ortek mbetjesh në Manila.
Operacionet e shpëtimit vijojnë, ndërsa familjarët presin me ankth lajme për të afërmit e tyre të zhdukur.
