
Të shtënat shpërthyen para agimit në Saulsville Hostel, ndërsa policia po heton motivin dhe autorët e sulmit.
Pretoria u trondit mëngjesin e sotëm nga një masakër me armë zjarri, ku 10 persona mbetën të vrarë dhe më shumë se 10 të tjerë u dërguan me urgjencë në spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në Saulsville Hostel, Atteridgeville, në perëndim të qytetit, sipas konfirmimit zyrtar nga policia e Afrikës së Jugut.
Zëdhënësja kombëtare e SAPS, Brigadier Athlenda Mathe, deklaroi se forcat e rendit ndodhen në vendngjarje, ndërsa nisja e hetimeve po fokusohet në identifikimin e autorëve dhe rrethanave të sulmit. Sipas raportimeve fillestare, të shtënat kanë shkaktuar panik të madh, ndërsa viktimat u gjetën në ambientet e hostel-it.
Afrika e Jugut përballet prej vitesh me nivele të larta të kriminalitetit me armë zjarri, të nxitur nga armët e paligjshme, bandat kriminale dhe trashëgimia e dhunës urbane. Ngjarje të tilla janë të përsëritura në vend: vitin e kaluar 17 persona u vranë në dy banesa pranë njëra-tjetrës në Lusikisiki, ndërsa në 2023 dhjetë anëtarë të një familjeje u ekzekutuan në Pietermaritzburg.
Autoritetet u kanë bërë apel banorëve të zonës të raportojnë çdo informacion që mund të çojë në kapjen e autorëve, ndërsa familjet e viktimave po marrin ndihmë emergjente nga shërbimet sociale. Në vend mbizotëron tronditje dhe revoltë, teksa ngjarja ka rikthyer në qendër debatin për kontrollin e armëve dhe sigurinë publike.
