
Një fluturim i kompanisë “British Airways” nga Londra drejt Nigerisë është detyruar të bëjë një ulje emergjente pas vdekjes së papritur të një pasagjeri, një ish-zyrtar i lartë ushtarak nigerian.
Avioni ishte nisur të dielën në mbrëmje nga aeroporti Heathrow dhe pritej të mbërrinte në Abuja rreth orës 05:00 të mëngjesit të së hënës. Por vetëm dy orë e gjysmë pas ngritjes, piloti mori vendimin të devijonte drejt aeroportit El Prat në Barcelonë, pasi një burrë rreth të 80-ave pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas mediave nigeriane, pasagjeri i ndjerë ishte një ish-zyrtar, i cili kishte qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim kundër kancerit dhe po kthehej në atdhe. Përpjekjet e ekuipazhit për ta ndihmuar rezultuan të kota dhe mjekët në Barcelonë konfirmuan vdekjen e tij menjëherë pas uljes.
Ngjarja shkaktoi panik në bord, ndërsa një grua shtatzënë pësoi një episod mjekësor gjatë momentit të krizës. Gjendja e saj aktuale nuk është bërë e ditur.
Pas uljes emergjente, udhëtarët u mbajtën në aeroport për disa orë, ndërsa autoritetet spanjolle dhe stafi i kompanisë britanike u morën me procedurat ligjore dhe mjekësore. Një avion tjetër u vu në dispozicion më vonë gjatë ditës, duke mbërritur në Abuja rreth orës 17:45.
Një zëdhënës i British Airways kërkoi ndjesë për situatën, duke deklaruar:
“Ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen e pasagjerit dhe kërkojmë falje për shqetësimet që kanë përjetuar të gjithë udhëtarët. Siguria dhe mirëqenia e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioriteti ynë absolut.”
Incidenti vjen vetëm pak javë pasi një pasagjer tjetër humbi jetën gjatë një fluturimi të “EasyJet” drejt Lanzarote, duke ngritur sërish pyetje mbi gatishmërinë mjekësore në bord dhe procedurat emergjente të linjave ajrore evropiane.