
Leon Moser, 19 vjeç, nga Rifair i komunës Taufers, humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në Glurns, komuniteti në Vinschgau në zi për djaloshin që ëndërronte qiellin.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur rajonin e Vinschgau në Italinë Veriore.
I riu Leon Moser, vetëm 19 vjeç, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së dielës pas një aksidenti tragjik në qendër të qytetit Glurns.
Sipas raportimeve lokale, rreth orës 03:00 të mëngjesit, Leon ndodhej me disa miq kur vendosi të ngjitej mbi një shatërvan dhe mbi statujën prej gize të Rebekës, që ndodhet në sheshin kryesor përballë bashkisë.
Por momenti i gëzimit u kthye në tragjedi, statuja u rrëzua, duke e zvarritur edhe 19-vjeçarin me vete.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit të urgjencës dhe mjekëve të “Kryqit të Bardhë”, Leon nuk arriti të mbijetonte. Ai ndërroi jetë në vendngjarje.
Komuniteti i Taufers im Münstertal është tronditur thellë, me banorët që flasin për një djalë shembullor, të dashur dhe plot ëndrra.
“Leon ishte i motivuar dhe ambicioz. Ai sapo kishte marrë licencën e pilotit dhe ëndërronte të bëhej pilot helikopterësh në male. Ky ishte qëllimi i jetës së tij,” – u shpreh me dhimbje Thomas Hafner, drejtuesi i ekipit të shpëtimit malor CNSAS në Taufers.
Në qytetin e vogël alpin, flamujt janë ulur në gjysmë shtize, ndërsa familjarët, miqtë dhe mësuesit e Leonit janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një djali që ëndërronte të prekte qiellin dhe që, fatkeqësisht, u largua prej tij përgjithmonë.