
Turisti 53-vjeçar u zbulua pa shenja jete nga operatori pasi kabina mbërriti në stacionin bazë në Val Cenis, autoritetet dyshojnë për atak kardiak
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në resortin e skive Val Cenis, në rajonin e Savojës në Francën juglindore, ku një skiator 53-vjeçar u gjet i vdekur brenda një kabine teleferiku. Trupi i tij u zbulua nga operatori i linjës sapo kabina mbërriti në stacionin bazë.
Sipas autoriteteve lokale, burri besohet se kishte hipur i vetëm në teleferik gjatë pasdites së 6 janarit në Val Cenis. Kur kabina mbërriti në destinacion, ai u gjet pa ndjenja, duke ngritur menjëherë alarmin.
Punonjësit e resortit njoftuan patrullat e skive, të cilat tentuan t’i japin ndihmën e parë dhe përdorën një defibrilator në përpjekje për ta rikthyer në jetë. Pavarësisht reagimit të shpejtë të shërbimeve emergjente dhe policisë, burri u shpall i vdekur në vend.
Hetimet paraprake sugjerojnë se turisti mund të ketë pësuar një atak kardiak menjëherë pas hipjes në teleferik, megjithatë autoritetet franceze po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja vjen në një periudhë të ndjeshme për zonat alpine, pas disa incidenteve të tjera të rënda në resorte skish në Europë, duke rikthyer vëmendjen mbi sigurinë dhe reagimin emergjent në zonat malore gjatë sezonit dimëror.
